CorrectStudio * CorrectStudio * CorrectStudio * CorrectStudio * CorrectStudio

30 novembre 2009

Tregtimi i librit në një rrugë të Tiranës






11 dicembre 2008

Si duhet të shkruajmë

Shembujt janë marrë nga postimet në listat dhe forumet virtuale shqiptare

trajta e gabuar - trajta e drejtë

lagja - lagjja
tek (shtëpia) - te (shtëpia)
tek - përdoret vetëm kur fjala që vjen më pas nis me zanore: tek ara, tek ura
e vullnetëshme - e vullnetshme
e përgjithëshme - e përgjithshme
ambient - mjedis
ambientohem - përshtatem, mësohem
ambientoj - përshtas, mësoj
përgjigja - përgjigjja
ndërgjegja - ndërgjegjja
pregatis - përgatis
sëbashku - së bashku
publiçistikë - publicistikë
preferoj - parapëlqej
patur (kam patur) - pasur (kam pasur)
ç'farë ke? - çfarë ke?
t'a (t'a dha) - ta (ta dha)
m'a (m'a dha) - ma (ma dha)
i jati - i ati
e jëma - e ëma
djali jonë - djali ynë
shënjtë - shenjtë
babai jot - babai yt
nëna yte - nëna jote
ç'kombëtarizim - shkombëtarizim
ç'kishërim - shkishërim
dokumenta, argumenta... - dokumente, argumente...

Përkthime

Shqipëroi nga italishtja:
Dilaver Baxhaku


Atë Zef Valentini

Ligji i Maleve Shqiptare



"Ligji Maleve Shqiptare" është njëri nga të tridhjetë librat me studime që ka shkruar Atë Zef Valentini mbi Shqipërinë. U botua në Firence të Italisë, në vitin 1969, dhe përmban një fond prej 252 dokumentesh mbi të drejtën zakonore, bazuar në kërkimet e priftërinjve jezuitë gjatë misioneve të tyre në Shqipërinë e Veriut në vitet 1880-1932. Libri u përkthye në vitin 2007 dhe ka 430 faqe.
* * *
Pjesë nga Hyrja e shkruar nga Atë Giussepe (Zef) Valentini
Kanuni shqiptar
Një nga veçoritë më të spikatura e më të qenësishme të kombit Shqiptar është, padyshim, tradita e tij juridike, e ruajtur, të paktën pjesërisht, që nga epoka e hershme e depërtimeve greke e romake deri në ditët tona; falë kjo jo vetëm besnikërisë së kombit për traditat e tij, por, besojmë, edhe karakterit organik e logjik të botëkuptimit juridik, që ka në bazë, dhe të normave themelore që e sendëzojnë këtë traditë juridike.
Ky botëkuptim juridik, social e moral i kombit është trajtuar gjithherë nga shkrimtarë moralistë e politikë shqiptarë, veçanërisht nga të zonës veriore të vendit, ku kjo traditë është ruajtur më gjatë e më besnikërisht; kurse disa institucione e norma të saj janë zbuluar rastësisht ose falë vrojtimeve vetmore të historianëve, kronistëve ose udhëtarëve që kanë pasur rastin ta njohin ose të interesohen për Shqipërinë. Por një punë kërkimore e organizuar dhe më e plotë e kësaj pasurie ka nisur të bëhet vetëm në dhjetëvjetëshat e parë të këtij shekulli (shek. XX - përk.) nga Don sa i përket pasurisë së traditës zakonore të fiseve malësore të verilindjes së zonës së Shkodrës, dhe nga Atë Shtjefën Gjeçovi, veçanërisht për trevën e Mirditës (në juglindje të Shkodrës).
Një studim kritik e i organizuar mbi bazën e dokumenteve historike dhe mbi hulumtime të drejtpërdrejta është ndërmarrë nga autori, veprën e të cilit e keni në dorë.

NATYRA DHE SHTRIRJA E KANUNIT

Kanuni është tërësia e parimeve, e institucioneve dhe e normave tradicionale juridike në Shqipëri, të pavarura nga juridiksioni shtetëror, qoftë nga ai turk, qoftë nga ai i qeverive që erdhën më vonë.
Emri i tij duhet të jetë shfaqur në fund të shekullit XV a në fillim të shekullit XVI, atëherë kur sulltan Sulejmani II kishte kodifikuar për të gjithë Perandorinë Otomane legjislacionin turk që u quajt me emrin Kanun, duke bërë kështu që më vonë ky term t’i ngjitet emrit të tij e të quhet Sulltan Sulejman-al-Kanuni, pra Sulejman Ligjdhënësi; ky legjislacion, gjithsesi, duhet të jetë pranuar edhe në disa provinca të ndryshme të Perandorisë, sidomos në disa sanxhaqe të Shqipërisë, duke u shërbyer atyre për mbrojtjen e të drejtave lokale, dhe u quajt kështu kanuni i njërës a i tjetrës provincë (si për shembull kanuni i Dukagjinit nënkuptonte atë të sanxhakut që përfshinte zotërimet e vjetra të dinastisë së Dukagjinit). Tradita popullore, në vetën e princit të principatave të vjetra, që pastaj kishin kaluar në sanxhaqe me kanunin e tyre, ka parë edhe personin historik ligjvënës a kodifikues, duke i njëjësuar këto dy figura, por nuk kemi ndonjë dokument që ta dëshmojë apo ta përjashtojë këtë. Vetëm mund të thuhet se bëhet fjalë për ligje të zakonshme lokale, që ekzistonin para okupacionin turk, që pastaj ai i njohu.
Në qoftë se Kanuni ishte i dallueshëm dhe i ndryshëm nga ligjet shtetërore, ishte i dallueshëm e i ndryshëm edhe në çdo bajrak a fis, por megjithëkëtë ligjet e veçanta që çdo bashkësi mund të miratonte duhej të ishin jo kundër Kanunit por sipas Kanunit, si thellim ose përshtatje të tij; sikur me thënë se është një Kanun dhe janë edhe disa kanune të tjerë, pra ligje e zakone të posaçme që i lypin rrethanat e çdo bashkësie.
Çfarë mbetet, pra, nga Kanuni?
Mbeten, mbi të gjitha, disa parime themelore juridike e morale. Së pari, parimi i nderit, që është në bazë e në pikënisje të parimeve të tjera dhe të çdo vendimi vetjak. Kuptimi i këtij parimi është aq i gjerë sa të habit nëse kërkon të zbulosh se ku shqiptarët e gjejnë atë të cenuar apo e shohin të përlyer. Në të vërtetë, jo të gjitha rastet e lëndimit të sedrës për punë të nderit hyjnë në këtë përcaktim; kjo mund të haset në ruajtjen e personalitetit, të dinjitetit (vetjak apo të përbashkët) në lartësinë e funksionit që vetë personi ka dhe që i jep atij shkëlqim në masën që të jetë denjësisht i përmbushur, dhe ta bëjë që nga të tjerët të respektohet qartësisht aq sa ta mbushë me krenari e dinjitet; kusuri është mirësjellja ose një etikë formale, apo edhe false, që synon dukjen e lartësisë së padiskutueshme të figurës së tij prej pushtetari.
Pas parimit imagjinar të nderit, pasojnë dy parime të tjera: ai i barazisë thelbësore në mes personave fizikë e moralë, dhe liria që të sillesh siç ta dikton nderi dhe vetëdija qytetare brenda skajeve të ligjit (Kanunit), pa pasur askush autoritet vetjak të komandojë të tjerët, por duke ndjekur parimin e respektimit të një forme drejtuese të vetme për të gjithë.
Në një barazi e liri të tillë, për sigurinë, për mirëqenien dhe nderin e të gjithëve dhe të secilit, është e nevojshëm një ndjenjë e lartë përkrahëse e individëve në bashkësinë ku bëjnë pjesë, dhe, përveç kësaj, një nivel i lartë përkushtimi e besueshmërie për përmbushjen e zotimeve në marrëdhëniet e përditshme në mes personit dhe bashkësisë, që mbështetet e sigurohet nga parimi i besës ose i paktit të burrave, me anë të institucionit të fjalës ose premtimit të dhënë.
Është e natyrshme që falë këtyre kushteve dhe lidhjeve të veçanta morale, e gjithë tërësia sociale e shoqërisë tradicionale shqiptare mbahet mbi sistemin parlamentar. Një sistem ama tejet i veçantë, ku zgjedhjet bëhen vetëm në bazë të rregullave të veçanta: kryetarët e familjeve, për shembull, nuk bëhen me zgjedhje, me parapëlqim, por në bazë të pranimit të heshtur ose të shprehur të meshkujve të familjes; ata, të parët e familjeve, normalisht bëjnë pjesë në kuvendet e bashkësisë dhe kanë të drejtë t’i zotojnë familjet e tyre në vendimet e përbashkëta të fisit a bajrakut; ata mund të zëvendësohen kurdo dhe nga cilido mashkull tjetër i familjes, dhe kjo, familja, për hir të nderit të shtëpisë, ka pastaj për detyrë ta pranojë e t’i bindet fjalës së tij të dhënë në bashkësi. Në rast mosmarrëveshjesh në mes personash apo familjesh, që nuk cenojnë interesat e bashkësisë, të dyja palët zgjedhin lirisht pleqësinë ose gjykatoren, para së cilës paraqesin konfliktin, duke lënë më parë një peng që i detyron të pranojnë vendimin.
Në të gjitha përzgjedhjet e tjera vendos parimi i vjetërisë, ose i trashëgimisë, i përligjur nga parimi i barazisë, që nuk parasheh përparësi të njërit para tjetrit, por shkon sipas vlerësimit të pavarur të figurës së tij, që mund të jetë e pëlqyeshme për disa por e padenjë për të tjerët; prandaj mund të peshojë shumë mosha, të jesh pra më i vjetër në moshë, o më i madhi ndër vëllezërit, ose të jesh i degëzimit të rrjedhur nga djali më i madh. Por është edhe parimi i ndreqjes, që mbështet dhe mbron interesat materiale të më të vegjëlve të familjes, pra të atyre më pak të favorizuar nga parimi i vjetërisë, të cilët, nëse ky parim (i vjetërisë) do të zbatohej edhe në këtë fushë, do të ishin përjetësisht të varfër; prandaj në ndarjen e pasurisë atësore, më i vogli nga vëllezërit ka të drejtën të zgjedhë i pari, ndërsa në ndarjen e pasurive ose të përfitimeve të rrjedhura nga bashkësia vendos herë-herë edhe shorti.
Për sigurinë e gjithë kësaj: si në ushtrimin e të drejtave dhe të detyrave në bashkësi, si për mbrojtjen e tyre, kërkohej gjithnjë ushtrimi i kapitalit të virtytit, si urtija ose arsyeja, burrnija ose qëndrueshmëria në fjalë, dhe trimnija ose kuraja, por edhe vlerat luftarake, që herë pas here janë vlerësuar, secila veç e veç ose të gjitha së bashku, si tregues të përmbushjes a të plotësimit të detyrave të ndryshme, të cilat shihen të lidhura me virtytet e personit.
Kanuni siguronte vazhdimësinë e këtij botëkuptimi të jetës shoqërore, dhe përmbante institucionet themelore në të cilat ky botëkuptim gjente realizim në tërësi e në veçanti.

KANUNI, SHTETI DHE KISHA

Kanuni ishte pranuar qartësisht si ligji i botës shqiptare për botën shqiptare; gjithsesi ai njihte dhe respektonte çfarëdolloj përkatësie tjetër: të drejtat sovrane të Shtetit dhe ato të Kishës në fushën shpirtërore.
Në të vërtetë Kanuni përvijonte normat themelore të marrëdhënieve në mes bashkësisë lokale dhe Shtetit, ose Kishës, përcaktonte prerë se cilat ishin përkatësitë dhe të drejtat e këtyre enteve superiore, por të jashtëm në jetën e shqiptarit, dhe nganjëherë vinte parësor në përkatësitë që kishte dhe dyshimtar ndaj ndërhyrjeve të tyre; por, nëse do të futeshe në diskutime paqësore me njerëzit e Kanunit, do të shihje se ata nuk përjashtonin dhe nuk pengonin parimisht kërkesat e ligjit shtetëror a kishtar, vetëm se mohonin që ishin të njëllojta me ato të Kanunit.
Meqenëse, siç është parë, parimet themelore të Kanunit nuk ishin tjetër veçse parime morale, shqiptarët e ndienin respektimin e tyre si një urdhër të vetëdijes, dhe gjendeshin nganjëherë në mëdyshje në mes ndërgjegjes shoqërore dhe asaj fetare.
Shteti (paramendojmë sidomos Shtetin turk) zihej ngushtë në raste përplasjesh në mes tij dhe Kanunit, për këtë ose krijonte një ndeshje të ashpër (shpesh pa rezultat), ose hiqej mënjanë, duke lënë të shkonte gjithçka zhyt e mbyt, ashtu siç dëshironte (ky ishte edhe qëndrimi më i parapëlqyer), ose binin në ujdi, duke u kënaqur me një vëzhgim formal të normave të Kanunit.

MISIONI SHËTITËS I JEZUITËVE NË SHQIPËRI

Puna që sapo përshkruam ka qenë për shekuj meritë shumë e qëndrueshme dhe natyrisht e shquar e klerit shqiptar dhe e fetarëve françeskanë që punonin në famullitë a nëpër strehët vorfënore të zonave më të epërme malore. Por, edhe pse për plot tri herë u provua t’i jepej një mbështetje organike punës së tyre nga Këshilli Nacional Shqiptar, asgjë nuk u bë; kjo për dobësinë e klerit, të detyrave të tij famullitare, pra territoriale, nga largësitë e mëdha që i ndanin famullitë nga njëra-tjetra, famullitë nga peshkopata, dhe shpesh edhe vendbanimet kishtare nga qendrat e banuara të malësorëve.
Prandaj qe e shumëpritur ideja e Atë Muzatit dhe Atë Pasit për formimin e një Misioni shëtitës të priftërinjve jezuitë sipas mënyrave tradicionale të përdorura gjetiu për misionet popullore: në një fushatë të tillë misionare ia vlente të ndërmerrej një reformë e menduar mirë, jo e izoluar vetëm në një famulli, që do të ishte kësisoj e paqëndrueshme për shkak të ngushtimit, por e shtrirë në një zonë mjaft të gjerë; ndërsa, nga ana tjetër, predikimet e gjalla të mbushura pothuajse rregullisht edhe me zgjidhje frymëzuese nga përmbajtja dhe nga fryma, do të fisnikëronin shpirtrat malësorëve shqiptarë; ndërsa shkolla e katekizmit (kulturës fetare) do të fuste një mentalitet të ri e një kulturë të mirë fetare veçanërisht ndër brezat më të rinj.
Në vazhdën e Misionit që u ndërmor në Shqipëri, misionarët shkonin në grupe të vogla të përbëra me një a dy Etër, pra priftërinj jezuitë, dhe me një “vëlla” (“fratello”) ose fetar laik, a një tjetër katekist (mësues i fesë) si ndihmës, dhe punonin në të gjithë zonën e famullisë gjatë gjithë një stine.
Fatmirësisht, që në nisje u vunë të ndjekin shembullin dhe përvojën e misionarëve antikë jezuitë, duke i përpiluar pas kthimit të tyre në shtëpi, dhe duke i dërguar menjëherë për t’i shtypur shënimet e tyre për qëmtimet gjatë misionit, që ishin aq të pasura jo vetëm me ngjarje e biseda njerëzish, por edhe me informacione të vyera për doket e zakonet, të cilat natyrisht do t’u vlenin shumë edhe misionarëve të ardhshëm. Ndër këto shkrime, ato që kanë të bëjnë me Kanunin dhe me të gjithë përmbajtjen juridike e zakonore kanunore janë nga më të bollshmet e më të vyerat për nga pasuria e hollësirave dhe e rasteve, me një nivel saktësie padyshim shumë më të lartë se ato të të gjithë trajtuesve të tjerë paraardhës, të mirëqena edhe nga kuadri metodik i ndjekur në përgjithësi nga kleri katolik për reformën.